Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave – Neni 15

KREU IV

ORGANET SHTETËRORE PËR PROCESIN E KTHIMIT

DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE

1. Për zbatimin e këtij ligji krijohet Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Komiteti Shtetëror përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët emërohen dhe shkarkohen nga Kuvendi. Dy anëtarë propozohen nga pozita dhe dy anëtarë nga opozita parlamentare. Një anëtar i propozohet nga Këshilli i Ministrave Presidentit të Republikës, i cili e dërgon për miratim me dekret në Kuvend. Anëtari i sjellë nga Presidenti dhe i miratuar nga Kuvendi është Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave.

2. Anëtar i Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave mund të emërohet shtetasi shqiptar, i cili:

a) ka mbaruar arsimin e lartë për jurist, ekonomist, agronom apo në fushën inxhinierike që ka lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave;

b) ka jo më pak se 7 vjet përvojë pune në profesion;

c) gëzon reputacion të mirë dhe aftësi profesionale të spikatura në fushën e tij;

ç) nuk është anëtar i organeve drejtuese të ndonjë partie politike;

d) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;

dh) nuk është ndëshkuar me masën disiplinore të shkarkimit nga detyra;

e) ka zotësi të plotë për të vepruar;

ë) nuk është në konflikt interesash me detyrën e anëtarit të Komitetit.

3. Anëtarësia në Komitetin Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave është e papajtueshme me çdo veprimtari tjetër shtetërore ose politike.

4. Paga e anëtarit të Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave është e barabartë me pagën e zëvendësministrit, ndërsa ajo e Kryetarit të tij 10 për qind më e lartë se paga e anëtarit.

5. Anëtari i Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave shkarkohet me vendim të Kuvendit të Shqipërisë kur:

a) me vendim gjykate të formës së prerë është dënuar për një vepër penale dhe/ose është ndaluar apo pezulluar të ushtrojë detyrën si nëpunës publik;

b) është në pamundësi fizike dhe mendore për të ushtruar funksionin e vet me raport mjeko-ligjor ose me vendim gjykate;

c) mungon katër ose më shumë herë radhazi në mbledhjen e Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, pa shkaqe të arsyeshme;

ç) vërtetohet se ka siguruar përfitime të padrejta, që lidhen me ushtrimin e kompetencave të tij;

d) shkel nenet e këtij ligji.

Asnjë anëtar i Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave nuk mund të shkarkohet nga detyra për shkaqe dhe procedura të tjera të papërmendura në këtë pikë, me përjashtim të rastit kur ai jep dorëheqjen.

Avokat Tirane | Zyre Avokatie | Reth Nesh | Sherbime Legale | Ligji Pronave | Gjykata Larte Tirane | REGJISTRIMI I KËRKESAVE | Perkufizime Ligji | Kontakt

Comments are closed.

%d bloggers like this: