Kompetencat e komisioneve vendore

Neni 18

Kompetencat e komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave

1. Komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave kanë këto kompetenca:

a) kontrollojnë vërtetësinë e dokumentacionit që paraqesin subjektet e shpronësuara dhe e ballafaqojnë atë me aktet ligjore, nënligjore ose vendimet penale, sipas nenit 2 të këtij ligji, që kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e padrejtë nga shteti të pronës;

b) verifikojnë dhe llogarisin detyrimet financiare që lindin për shtetin, subjektin e shpronësuar ose të tretët, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj;

c) caktojnë ekspertë, të cilët ndihmojnë komisionin për anën teknike në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave;

ç) u konfirmojnë të drejtën e pronësisë subjekteve të shpronësuara, duke lëshuar dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kthimit ose të kompensimit, sipas modelit të përcaktuar nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave;

d) urdhërojnë institucionet që kanë në administrim pronën shtetërore ose publike të paraqesin dokumente ose të dhëna, të cilat ata i konsiderojnë të nevojshme;

dh) në përputhje me ligjin dhe në bazë të dokumentacionit, përcaktojnë rastet kur nuk përfitohet nga zbatimi i këtij ligji.

2. Vendimet e komisioneve vendore të kthimit dhe kompensimit te pronave duhet të jenë në formë të shkruar, të marra në mbledhjet e tij, të arsyetuara dhe të përmbajnë kërkesat e parashikuara në Kodin e e Procedurave Administrative.

3. Në përcaktimin e kthimit ose kompensimit të pronës, komisionet vendore bazohen në vërtetimin me shkrim të Zyrës së Regjistimit të Pasurive të Paluajtshme për gjendjen juridike të pronës së paluajtshme që do të kthehet apo pronës së paluajtshme ku do të kompensohet subjekti i shpronësuar. Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme i drejtohet kërkesa nga kryetari i komisionit vendor me shkrim dhe përpara marrjes së vendimit nga komisioni. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duhet të kthejë përgjigje me shkrim brenda 5 ditëve pune nga marrja e kërkesës dhe përgjigjja e saj depozitohet në dosjen përkatëse.

4. Nëse në përfundim të afatit ankimor, sipas këtij ligji, nuk është bërë ankim, komisionet duhet të dërgojnë një kopje origjinale të vendimit të tyre për njohjen, kthimin ose kompensimin e pronës së paluajtshme në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Comments are closed.

%d bloggers like this: