Archive for Ligji penal

Zbatimi i ligjit penal

Posted in Ceshtje Penale with tags , , , , , on October 8, 2008 by sherbimejuridike

Neni 5
Territori i Republikës së Shqipërisë

Territori i Republikës së Shqipërisë, në kuptim të ligjit penal, quhet hapësira tokësore, gjerësia e ujërave territoriale dhe të brendshme detare, hapësira ajrore që shtrihet mbi hapësirën tokësore dhe të ujërave territoriale dhe të brendshme detare, si dhe çdo vend tjetër ku shtrihet sovraniteti i shtetit shqiptar, si selitë e përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare, anijet që mbajnë flamurin e Republikës së Shqipërisë, anijet e marinës luftarake, të aviacionit ushtarak ose civil kudo që ndodhen.

Neni 6
Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera
nga shtetas shqiptarë

Për vepra penale të kryera nga shtetas shqiptarë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë zbatohet ligji penal i Republikës së Shqipërisë. Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin shqiptar që kryen krim në territorin e një shteti tjetër, kur krimi është njëkohësisht i dënueshëm dhe derisa nuk është dhënë për të një vendim përfundimtar nga një gjykatë e huaj.
Në kuptim të këtij neni shtetas shqiptarë do të konsiderohen edhe ata persona që përveç shtetësisë shqiptare gëzojnë edhe shtetësi tjetër.

Neni 7
Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera
nga shtetas të huaj

(Ndryshuar shkronja “d” me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 2)
Shtetasi i huaj, që kryen vepër penale në territorin e Republikës së Shqipërisë, përgjigjet në bazë të ligjit penal të Republikës së Shqipërisë. Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin e huaj që jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë kryen në dëm të interesave të shtetit ose të shtetasit shqiptar një nga krimet e mëposhtme: a) krime kundër njerëzimit; b) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; c) akte terrroriste; d) organizimi i prostitucionit, trafikimi i jashtëligjshëm i njerëzve, fëmijëve dhe grave, prodhimi dhe trafikimi i jashtëligjshëm i armëve, drogës, substancave të tjera narkotike e psikotrope, i substancave bërthamore, i materialeve pornografike, si dhe trafikimi i jashtëligjshëm i veprave të artit dhe i objekteve me vlerë historike, kulturore dhe arkeologjike; e) rrëmbimi i avionëve dhe i anijeve; f) falsifikimi i vulës së shtetit shqiptar, parave dhe letrave me vlerë shqiptare; g) krime që cenojnë jetën dhe shëndetin e shtetasit shqiptar, për të cilat ligji parashikon dënim mbi pesë vjet burgim ose çdo lloj dënimi më të rëndë.

Neni 8
Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera
nga personi pa shtetësi

Për personin pa shtetësi që kryen vepër penale në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe krim jashtë këtij territori, vlejnë rregullat e nenit 7 të këtij Kodi.

Avokat Tirane | Zyre Avokatie | Reth Nesh | Sherbime Legale | Ligji Pronave | Gjykata Larte Tirane | REGJISTRIMI I KËRKESAVE | Perkufizime Ligji | Kontakt | Ceshtje Kriminale | Ceshtje Penale

LIGJI PENAL DHE ZBATIMI I TIJ

Posted in Ceshtje Penale with tags , , , , on October 8, 2008 by sherbimejuridike

KREU I
LIGJI PENAL DHE ZBATIMI I TIJ
Neni 1
Ligji penal dhe ndarja e veprave penale
Ligji penal përcakton veprat penale, dënimet dhe masat e tjera që merren ndaj autorëve të tyre.
Veprat penale ndahen në krime dhe në kundërvajtje penale. Dallimi i tyre bëhet në çdo rast në dispozitat e pjesës së posaçme të këtij Kodi.


Neni 1/a

Bazat e legjislacionit penal
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 1)
Kodi Penal bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet e përgjithshme të së drejtës penale ndërkombëtare, si dhe në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar.
Legjislacioni penal përbëhet nga ky Kod dhe ligje të tjera që parashikojnë vepra penale.
Neni 1/b
Detyrat e legjislacionit penal
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 1)
Legjislacioni penal i Republikës së Shqipërisë ka për detyrë të mbrojë pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e territorit të tij, dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, rendin kushtetues, pronën, mjedisin, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin e shqiptarëve me pakicat kombëtare, si dhe bashkëjetesën fetare nga veprat penale, si dhe parandalimin e tyre.
Neni 1/c
Parimet e Kodit Penal
(Shtuar me ligjin 8733, datë 24.1.2001, neni 1)
Kodi Penal bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe të humanizmit.
Zbatimi i ligjit penal me analogji nuk lejohet.
Neni 2
Mosdënimi pa ligj

Askush nuk mund të dënohet penalisht për një vepër që më parë nuk është e parashikuar shprehimisht në ligj si krim ose kundërvajtje penale. Askush nuk mund të dënohet me një lloj dhe masë dënimi të paparashikuar në ligj.
Neni 3
Veprimi në kohë i ligjit penal
Askush nuk mund të dënohet për një vepër që, sipas ligjit të kohës kur është kryer, nuk përbënte vepër penale.Ligji i ri që nuk dënon veprën penale ka fuqi prapavepruese. Në rast se personi është dënuar, ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, pushon.Kur ligji i kohës kur është kryer vepra penale dhe ligji i mëvonshëm janë të ndryshëm, zbatohet ai ligj dispozitat e të cilit janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale.
Neni 4
Mosnjohja e ligjit
Mosnjohja e ligjit që dënon veprën penale, nuk përbën shkak për përjashtim nga përgjegjësia penale, veç rasteve kur mosnjohja është objektivisht e paevitueshme.

Avokat Tirane | Zyre Avokatie | Reth Nesh | Sherbime Legale | Ligji Pronave | Gjykata Larte Tirane | REGJISTRIMI I KËRKESAVE | Perkufizime Ligji | Kontakt

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.